Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni të së vërtetës, që sipas saj do të zbardhë lidhjet e politikës me krimin.
Deputeti Edi Paloka tha se ky komision do të publikojë komunikimet e personazheve të politikës me eksponentë të grupeve kriminale përmes aplikacioneve Sky dhe Encro Chat.
“Do të një qëndrim të PD, do të kemi dhe një propozim konkret për një nga çështjet po kaq të rëndësishme, atë të lidhjes së krimit me politikën që kanë dalë në përgjimet e Encro Chat, Sky, biseda që tregojnë qartazi se deri në çfarë niveli deputetë, ministra, politikanë të rëndësishëm të mazhorancës janë të lidhur direkt me krimin, por jo vetëm kaq, aty del zbuluar edhe se si funksionon kjo drejtësia e re kur prokurorë, gjyqtarë marrin përsipër përpara politikanëve lirimin e kriminelëve dhe vrasësve. Për këtë çështje ne do të kërkojmë si PD ngritjen e një komisioni që quhet Komisioni i të Vërtetës dhe që do të kërkojë të zbardhë për gjithë shqiptarët këto lidhje të politikës me krimin”.
Paloka mohoi që në biseda me eksponentë të krimit të jenë edhe deputetë të opozitës.
Në 30 Gusht, Sali Berisha prezantoi idenë e tij për ngritjen e komisionit të së vërtetës, duke e cilësuar atë radiografia e vetme për sistemin e drejtësisë që të mos fshehin krimet e deputetëve, ministrave dhe Kryeministrit.
Tv Klan