Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni të së Vërtetës, që sipas saj do të zbardhë lidhjet e politikës me krimin. Deputeti Edi Paloka tha se ky komision do të publikojë komunikimet e personazheve të politikës me eksponentë të grupeve kriminale përmes aplikacioneve SKY dhe Encrochat.
“Do publikojmë lidhjet e krimit me politikën. Bisedat e politikanëve, deputetëve, ministrave të mazhorancës me krimin në SKY dhe Enchrochat, ka biseda të regjistruara, do publikohen të gjitha lidhjet me bandat kriminale. Do publikojmë bisedat ku do dalin lidhjet e tyre. Për këtë qëllim do kërkojmë ngritjen e Komisionit të së Vërtetës, për të zbardhur lidhjet e krimit me politikën. Nga informacionet që kemi, ne dalin deputetë dhe ministra të lidhur me krimin”, tha Paloka.
Për këtë kërkesë të demokratëve, kreu i deputetëve socialistë Niko Peleshi nuk dha një përgjigje të prerë, por tha se nuk do ta paragjykojnë propozimin e bërë.
“Do e shqyrtojmë kërkesën, nëse është brenda kuadrit ligjor dhe rregulloreve të Kuvendit. Por nuk kemi pse të paragjykojmë pa e parë më parë kërkesën”, u shpreh Peleshi.
I pyetur nga mediat, Peleshi refuzoi të komentonte dënimin e dhënë nga gjykata me 1 vit heqje lirie ndaj deputetit demokrat Ervin Salainji.
Tv Klan