Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetarja:- Në katin e tretë të pavionit të Pediatrisë, ndodhet reanimacioni i terapisë intensive, ku janë të shtruar dhjetëra fëmijë të sapolindur edhe të rritur. Prej ditësh, banorët e ardhur nga rrethet e ndryshme të vendit, flenë në këtë sallë.

Kjo është salla e ndenjes në katin e tretë të Pediatrisë, e cila pas orës dhjetë të mbrëmjes kthehet në një kamp refugjatësh për prindërit, burra e gra, të cilët në dhomat e reanimacionit kanë të shtruar fëmijët e tyre. Të ardhur nga zona të largëta të vendit, me vete kanë sjellë që nga çarçafët e deri tek kartonët e shtruar përtokë, ku kalojnë natën. Disa prej tyre kanë jo vetëm me ditë por edhe me javë e muaj.

Në kushtet e rënda të spitalit, prindërit shtojnë se përveç halleve të tjera, ku shumicën e medikamenteve e përballojnë me shpenzimet e tyre, duhet të durojnë dhe të ftohtin e lagështirën e dyshemesë së korridorit. Për mjekët kjo situatë prej kohësh është kthyer në një problem, por deri më sot askush prej tyre nuk e ka ngritur zërin në Ministrinë e Shëndetësisë.

Jashtë kamerave ata pohojnë, se nëse fëmijët latantë janë në kushte reanimatore, spitali është i detyruar të sigurojë shtrime dhe për nënat, që kanë në gji fëmijët e sëmurë. Por ata sigurojnë se një gjë e tillë nuk ndodh dhe nuk u sigurojnë dot fjetje nënave. Sipas mjekëve për to zgjidhja e vetme është hoteli, ose korridori, megjithëse dihet se të ardhurat mujore të prindërve janë të vogla./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja