Qyteti i Prizrenit u vesh me ngjyrat e flamurit kombëtarë, me moton “Jemi një”. 130 vjetori i Lidhjes së Prizrenit është shënuar në rrugët e qytetit e po ashtu edhe me tryezën mbarë kombëtare për kuptimin politik dhe ushtarak të kësaj lidhje. Historiani Pëllumb Xhufi, beson se pavarësia e Kosovës është njëra nga sukseset e përmbushjes së amanetit të lidhjes.

Pëllumb Xhufi: “Unë e gjykoj këtë një piketë në rrugën e gjatë historike të kombit shqiptarë që do t’i sjellë gjithë shqiptarët të bashkuar në një shtet të përbashkët”.

Por për Adem Demaçin, programi i lidhjes mund të realizohet vetëm me krijimin e kapitalistëve kombëtar.

Adem Demaçi: “Duhet të bëjmë përpjekje që sa më shpejt sa s’kemi hyrë në Evropë. Një ditë do të hyjmë, do të na fusin me qejf ose pa qejf. Sa s’kemi hyrë në Evropë, ta krijojmë shpejt klasën tonë kapitaliste prej kapitalistëve kombëtarë”.

Ajo që mbetet e rëndësishme nga ajo kohë, është mesazhi i bashkimit kombëtarë pa dallim feje. Në fakt një mesazh i tillë është i rëndësishëm për të gjithë botën, beson Stefan Schwarz.

Stefan Schwarz: “Bota nuk di për këtë ngjarje, por bota duhet të dijë për këtë ngjarje. Prandaj jam duke shkruar një libër “Mësimet nga Shqipëria”.

Rreth 300 delegat nga Shqipëria etnike ishin bashkuar në këtë ndërtesë më 10 qershor të vitit 1878 për të mbrojtur trojet kombëtare për herë të parë pas rezistencës që Skënderbeu u bëri turqve./tvklan.al