Banorët e komunave Ana e Malit dhe Dajç në Shkodër kanë nisur në mbrëmje evakuimin nga shtëpite e tyre për shkak të përmbytjeve të krijuara në zonë 24 orët e fundit. Largimi i tyre nga banesat po kryhet nga forcat e ushtrisë dhe punonjës të emergjencave civile. Urdhëri për evakuimin e banorëve të rrezikuar u dha në mesdite nga Kryeministri Berisha, i cili i pa vetë nga afër këto zona.

Rreshjet e mëdha, të cilat pritet të vijojnë edhe për të paktën 10 ditë të tjera, kanë shaktuar një situatë tepër të rënduar në zonën e poshtme të Shkodrës dhe atë të Lezhës, prandaj është shpallur gjendja e jashtezakonshme.

Hidrocentrali i Komanit, Fierzës dhe Vaut të Dejës po njohin rritje të shpejtë të nivelit në kaskada.

Nga Shkodra, ku është ngritur edhe shtabi i emergjencës, kreu i ekzekutivit kërkoi masa të shpejta dhe efikase për trajtimin e banorëve të rrezikuar.

Hotelet dhe konviktet në këtë qytet do të vihen në dispozicion të personave të shperngulur tha Berisha. Universiteti Luigj Gurakuqi dhe shkollat e mesme profesionale do të nisin me vonesë procesin mësimor, më 15 janar, pasi konviktet e tyre do të shërbejnë për akomodimin e të evakuarve.

Shtabi i emergjences i ngritur në zonë po bën përllogaritjen e dëmeve paraprake, ndërkohë që tokat bujqësore të përmbytura do të zhdëmtohen nga korporata elektronenergjitike.

Tv Klan