Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Përroi i Zaranikës në Elbasan, i cili është mbushur tej mase, si pasojë e reshjeve të rëna ditët e fundit, rrezikon të përmbysë disa lagje të këtij qyteti. Diga e ndërtuar 37 vjet më parë, tashmë është e amortizuar, ndaj të gjitha prurjet që derdhen në shtratin e përroit, kanë filluar të dëmtojnë rëndë konstruksionin e saj prej betoni.

Kjo digë mbrojtëse ka pësuar çarje të mëdha, ndërsa në fundin e saj janë hapur zgavra të thella, që zgjerohen çdo ditë. Shembja e digës, do të thoshte përmbytje për qytetin e Elbasanit. Sipas specialistëve të bashkisë Elbasan është përgatitur një projekt për ndërtimin e një dige të re, por ai nuk ka gjetur zbatim për shkak të mungesës së fondeve. Kështu banorët e qytetit të Elbasani, çdo ditë kur bie shi, jetojnë me ankthin se një ditë mund të përfundojnë në Shkumbin.

Nga ana tjetër, moti i keq ka sjellë probleme edhe në qarkullimin e mjeteve në rrugën nacionale Rrogozhinë – Qafë Thanë. Më e rënduar paraqitet gjendja në fshatin Papër, ku rruga ka qenë e pakalueshme për automjetet. Ky aks rrugor u prish nga firma turke Behase, por edhe firma Maqedonase Granit, që ka marrë përsipër ndërtimin e tij, deri tani nuk ka bërë asgjë për rehabilitimin e rrugës. Për shkak të kësaj gjendje, shoferët janë detyruar të hapin rrugë dytësore për të kaluar./tvklan.al