Mjeku Pëllumb Pipero është bërë pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ku ka folur për rëndësinë e mbajtjes së maskës dhe është shumë dakort që ajo të mbahet edhe në ambiente jashtë, duke parë situatën e rëndë që Covid-19 po shkakton në Shqipëri.
Sipas tij njerëzit duhet të kenë mirëkuptim dhe të kuptojnë se maska është i vetmi mjet që na mbron dhe se duhet ta bëjmë mënyrë të jetesës. Pipero shprehet se për të vetmen gjë që nuk është dakort, janë gjobat. Ai i drejtohet Ramës që të heqë gjobat sepse shqiptarët janë gjobitur boll nga natyra, nga dy tërmetet e pandemia, prandaj kjo është e tepërt.
“Kur kam thënë që maska duhet të bëhet e detyrueshme unë në këtë situatë kam qenë dhe jam kundër çdo gjobe sepse ne shqiptarët boll jemi gjobitur nga natyra, dy tërmete dhe pandemia. Ne duhet të mësohemi të respektojmë çdo rregull dhe ligj që vjen sepse historikisht shqiptarët janë lidhur pas fjalës dhe jo pas normave administrative. Do ishte e më e pranueshme në opinionin tim një aleance mbarë kombëtare, specialist dhe qytetarë, qytetarë dhe institucion që të mirëkuptohemi dhe të biem dakort që maska është mjeti më mbrojtës deri tani dhe duhet të bëhet pjesë e jetës sonë dhe ta bëjmë mënyrë jetese.
Kjo maskë të mbron ty, mbron doktoreshën, nuk më mbron mua. Po ta mbash dhe ti, më mbron dhe mua. Duhet ta dinë gjithë shqiptarët që Covid-19 nuk ka as këmbë, as krahë, as kokë, as logjikë. Ky virus nuk qarkullon me këmbët e veta, qarkullon me ne qytetarët. Maska duhet të jetë me vete për ta përdorur aty ku duhet dhe aq sa duhet. Përdorimi i maskës e ul ndjeshëm transmetimin e virusit dhe ul sëmundshmërinë nga ky virus. Duke pasur këtë maskë neve marrim shumë më pak spërkla pështyme me viruse brenda.
Në rast se unë rri përballë me ju për 15 minuta dhe bëj muhabet apo teshtij, ky virusi përmes spërklave mund të transmetohet deri në 3 metra. Ndaj krahas distancës fizike dhe higjienës së duarve, maska është më e rëndësishme dhe më e sigurta për aq kohë sa nuk kemi një vaksinë. I them Kryeministrit që nuk jam dakort për gjobën, më duket e tepërt si Pëllumb”, është shprehur ai. /tvklan.al