Gëzimi i 24 familjave shkodrane të pastreha, të cilave Këshilli Bashkiak u ka dhënë shtëpi, ka zgjatur fare pak. Prefekti i Shkodrës Kolë Malaj e ka anuluar këtë vendim të Këshillit Bashkiak për një sërë mangësish ligjore, sipas tij.
Kolë Malaj: “Nuk është zbatuar as rregullorja e funksionimit të Këshillit Bashkiak për miratimin e vendimeve të tilla, por është servirur një material nga një grup i ngritur nga kryetari i bashkisë, grup pune dhe ky material që duhej t’i paraqitej Këshillit të Bashkisë nga komisionet e përhershme, që vetë ka zgjedhur, është paraqitur nga një grup pune. Lista prej 24 vetash, pra për ndarjen e 24 apartamenteve është votuar në bllok që është një shkelje flagrante e procedurave dhe nuk është marrë parasysh asgjë tjetër që ka të bëjë me vendosjen e një radhe në këtë numër kaq të madh kërkesash që ka në rrethin e Shkodrës.”
Por vetë familjarët e kundërshtojnë këtë vendim dhe japin të tjera argumente.
“Prefekti, meqë është kaq i interesuar dhe kaq i dashur me qytetarët e vet, mund t’i kishte ndjekur vetë problemet se ka kohë të mjaftueshme dhe e di se ku jetojnë njerëzit, nëpër baraka e bodrume. Janë bërë njerëzit astmatikë, të sëmurë.”
“Prefekti po luan me jetën e fëmijëve tanë.”/tvklan.al