Filmi “Ne dhe Lenini” i regjisorit Sajmir Kumbaro shfaqi premierën e tij mbrëmjen e së premtes në kinema Millenium duke mbledhur të ftuar, personalitete të artit dhe të  politikës, por edhe vetë protagonistët e filmit. Sipas Kumbaros “Ne dhe Lenini” është një film komedi që e merr temën nga aktualiteti shqiptar.

Sajmir Kumbaro:Krahas humanizmit unë bëj dhe një denoncim ndaj disa elementëve që kanë lidhje me politikën të cilët duan të përfitojnë gjëra që nuk i takojnë dhe filmi denoncon pikërisht këto elementë, këtë dyfytyrësi, këtë hipokrizi edhe mendoj se njerëzit e kapin këtë e prekin dhe kjo e bën filmin të prekshëm, e bën komunikativ me spektatorin.”

Ngjarjet e filmit me skenar të Ruzhdi Pulahës zhvillohen në shtëpinë e pleqve “Lulet e vjeshtës” ku një grup të moshuarish janë të ndarë në dy grupe. Nostalgjikët e së kaluarës dhe ata që nuk duan ta kujtojnë, por gjithçka trazohet kur shtëpisë i del pronari. Të moshuarit i kërkojnë ndihmë Llazar Koritës, i interpretuar nga Lazër Filipi, aktori që banon në shtëpi, i cili dikur respektohej nga të gjithë.

Të moshuarit mendojnë se vetëm ai mund ta shpëtojë shtëpinë dhe Lenini hidhet në mbrojtje të së drejtës, por gjithçka bie në vesh të shurdhët. Komedia “Ne dhe Lenini” është një prodhim shqiptaro-franko-maqedonas. Më 26 janar filmi do të jetë premierën e tij edhe në Prishtinë./tvklan.al