Presidenti kinez, Xi Jinping, mbërriti në Beograd mbrëmjen e 7 Majit për një vizitë dyditore në Serbi, në përpjekje për ta rritur ndikimin e Pekinit në çështjet politike dhe ekonomike të Evropës.

Xi udhëtoi nga Franca, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron. Beogradi është stolisur me flamuj të Serbisë dhe të Kinës, si dhe me pankarta të mëdha mirëseardhëse në gjuhën serbe dhe atë kineze.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka kërkuar në vijimësi që t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Kinën dhe Rusinë, pavarësisht se synon ta anëtarësojë vendin në Bashkimin Evropian.

Vuçiç e konsideroi presidentin Xi si një “mik të madh” të Serbisë. Xi tha se e sheh vizitën në Beograd si përforcim shtesë i “miqësisë së çeliktë dhe te sinqertë mes te dy vendeve”. Beogradi ka mbështetjen politike të Kinës edhe në mosnjohjen e Kosovës ndërsa Serbia e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit kinez.

Serbia bashkëpunon me Kinën, kryesisht në fushën e projekteve të infrastrukturës. Pekini i ka dhënë Beogradit si hua rreth 5.5 miliardë Dollarë në periudhën 2014-2023 për projekte infrastrukturore, rrugë, ura dhe hekurudha. Është në ndërtim e sipër edhe hekurudha e shpejtë Beograd-Budapest, pjesë e iniciativës kineze “Brezi dhe Rruga”.

Presidenti kinez Xi Jinping e vizitoi Serbinë për herë të dytë në më pak se dhjetë vjet. Pas qëndrimit në Serbi, Xi do të udhëtojë në Budapest, për një takim me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Edhe Orban ka mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, edhe pse Hungaria është anëtare e BE-së.

Klan News