Përfundon me sukses procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore te sigurimeve, “INSIG”.
Ministria e Financave bën publike se në fund të garës, ofertën më të mirë e siguroi kompania amerikane American Reserve Life Insurance. Kjo kompani ofroi 25 milion euro për blerjen e aksioneve te INSIG-ut.
Shuma e ofruar rezulton të jetë 2 milion euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga komiteti i privatizimit apo 3.5 milion euro nga çmimi që kishte përcaktuar me parë qeveria. Privatizimi i INSIG-ut konsiderohet shumë i suksesshëm për qeverinë, pasi vjen në një kohë kur tregjet botërore kanë pësuar një tronditje të thellë dhe tregon besimin e investitorëve të stabiliteti financiar në Shqipëri.
Ministria e Financave bën të ditur se janë në proces e sipër negociatat e fundit teknike me kompaninë fituese. Me privatizimin e INSIG-ut, mbyllet edhe cikli i privatizimeve të mëdha të këtij viti. Kujtojmë shitjen e kompanisë së naftës ARMO dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të Energjisë./tvklan.al