Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë afat për të zbardhur vendimin përfundimtar dhe ta dërgojë atë për botim në Fletoren Zyrtare. Gjatë kësaj periudhe edhe Drejtoria e Tatimeve do të vazhdojë të konsiderojë ligjin në fuqi, çka do të thotë se tatimet janë të detyruar të kërkojnë vjeljen e tatimfitimit në masën 15 % për tatimpaguesit që ofron shërbime si avokatia, noteteria, kontabiliteti etj.
E pyetur nga Tv Klan, Zyra e Shtypit e Organit të Përgjithshëm Tatimor sqaroi se po presin zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të parë detyrimet që burojnë nga ky vendim dhe më pas të vendosin nëse do të duhet t’i kthejnë mbrapsht kësaj kategorie tatimpaguesish pagesat që kanë kryer nga 1 Janari deri në fund të Qershorit.
Ligji për profesionet e lira u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga disa deputetë të opozitës dhe vetë grupet e interesit. Të enjten, gjykata vendosi të shfuqizojë disa nene të ligjit duke i dhënë të drejtë profesiontëve të lirë të mos paguajnë tatim në masën 15 për qind mbi fitimin e tyre vjetor deri në 2029, ashtu si çdo biznes tjetër i vogël në vend.
Tv Klan