Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Studentët shqiptarë kanë protestuar përpara ambasadës greke kundër dhunës dhe racizmit të ushtruar në kufi, nisur nga ngjarja e të riut Vullnet Bytyçi, i cili humbi jetën si pasojë e dhunës të ushtruar mbi të nga policia greke.

“Këtu nuk po shahet populli grek, këtu po kritikohet qëndrimi që mbahet në lidhje me emigrantët shqiptarë dhe me këdo shtetas shqiptar që tenton të kalojë kufirin grek”.

Tregohuni shtet europian, ishte thirrja e të rinjve përpara amabsadës greke, ndërkohë që është protestuar edhe ndaj diplomacisë shqiptare me parulla, si “Në Europë nuk shkohet kokë ulur”.

Besjan Pesha:- “Në qoftë se diplomacia shqiptare nuk reagon, në qoftë se politika shqiptare nuk reagon, kur qytetarët shqiptarë vriten, dhunohen, jashtë kufijve, atëherë qytetarët shqiptarë do të bëjnë këtë. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të integrohemi me të drejta të barabarta, kokëlartë dhe krenarë, vetëm kështu do të quhemi qytetarë evropian, çdo gjë e kundërt është nënshtrim”.

Ambasada greke nuk pranoi të prononcohet në lidhje me hetimin e çështjes Bytyçi, si dhe përsa i përket sjelljes së policëve grek në kufi edhe pas kësaj ngjarjeje, duke i qëndruar besnik deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke, se për vrasjen e të riut shqiptar, drejtësia greke vazhdon hetimet.

Por keqtrajtimi i refugjatëve nuk është vetëm në kufi, shqiptarët sorollaten dhe në dyert e ambasadës, teksa tentojnë me muaj të tërë, për të marrë një vizë Shengen./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj