Rreth 300 tregtarë të Tregut Industrial në Lushnjë kanë protestuar përpara Bashkisë së këtij qyteti. Sipas protestuesve, Policia Bashkiake me një vendim të Këshillit Bashkiak nuk i ka lejuar të shesin në tregun e artikujve industrialë, vend të cilin e kanë përdorur prej 15 vitesh. Tregtarët janë lajmëruar disa ditë më parë që të lënë vendin e punës në këtë treg duke mos iu ofruar asnjë zgjidhje se ku do të shpërnguleshin.
Ata janë shprehur me këmbëngulje se nuk do të lëvizin nga ky vend pa ju gjetur një tjetër edhe sikur mbi ta të përdoret forcë. Ata nuk gjejnë arsye pasi kanë qenë të rregullt me shtetin në pagimin e taksave. Kanë kërkuar takim me kryetarin e Bashkisë, por ai është lënë për një ditë tjetër. Sipas tregtarëve, protesta nuk do të ndërpritet deri në zgjidhjen e këtij problemi. /tvklan.al