Rritja e çmimit te siguracionit të automjeteve ishte në fokus të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Deputeti i PS-së, Erion Braçe tha se çmimet e sigurimit të detyrueshëm të makinave janë rritur përtej logjikës së ligjit nga aplikimi i sistemit bonus-malus, ose me bazë risku.

“Ka një shqetësim të madh në treg, sikurse nga qytetarët që po përballen me rritje të çmimeve. Ka një argumentim nga grupi i shoqatave apo shoqatat që merren me mbrojtjen e interesave të kompanive të sigurimit me çfarë po ndodh në treg. M’u duk se një pjesë e tyre ishin kundër rritjes së primeve për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorik”.

Shqetësimit iu bashkua edhe kreu i Komisionit, Eduard Shalsi, i cili theksoi se nevojitet që të dëgjohen palët.

“E gjej me vend dhe besoj se mund të mos mjaftojë vetëm dëgjesa me drejtuesen e AMF-së, por duhet të thërriten edhe përfaqësuesit e kompanive të sigurimit në treg, për të kuptuar më mirë situatën dhe bërë të mundur që vullneti dhe qëllimi të realizohet sikundër ishte vizioni”.

Nga 1 Janari ka nisur aplikimin sistemi i ri bonus-malus, që në thelb ka si qëllim edukimin e drejtuesve të mjeteve dhe në njëfarë mënyre edhe shpërblimin e atyre që zbatojnë rregullat e qarkullimit.

Me rregulloren e re të Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare, drejtuesit e automjeteve do të paguajnë tarifa të reja të diferencuara.

Klan News