Publicisti Baton Haxhiu ka promovuar të hënën në mbrëmje librin e tij të fundit “Lufta ndryshe”, një rrëfim ky personal për luftën e fundit në Kosovë. Libri është përfunduara në vjeshtën e vitit 1999, por që autori kishte dashur që ai të botohej vetëm pasi të krijohej një distancë e konsiderueshme nga ngjarjet që trajtohen në libër, në të cilat shpesh kishte qenë protagonist dhe vetë.

Publicisti Mehmet Kraja tha se “Lufta ndryshe”, është një rrëfim krejt ndryshe për periudhën më të vështirë të shqiptarëve të Kosovës.

Mehmet Kraja: “Lufta e fundit në Kosovë i ka pasur heronjtë e vet, ka pasur personazhe kryesore, pra protagonistë dhe personazhe dytësore, madje edhe estatiste. Në këtë teatër të madh ngjarjet janë zhvilluar në skenë dhe në prapaskenë dhe shpesh, duke mos e kuptuar se ku luhet teatri i vërtetë. Një pjesë e kësaj loje të themi kështu është luajtur jashtë fushëbetejës, veçmas një terreni që ndryshe quhej luftë me djallin.”

Në librin “Lufta ndryshe” trajtohet periudha nga fillimi i luftës në Drenicë, e deri tek intervenimi i Aleancës Veriatlantike të NATO-s.

Blendi Fevziu: “Unë e kam thënë edhe në një pasthënie që kam shkruar, është historia e pabesueshme e legjitimimit të një grupi të rinjsh, të cilët kishin vendosur të fillonin të kontribuonin për pavarësinë e Kosovës duke sfiduar ushtrinë jugosllave, strukturat e shtetit serb, po them jo Jugosllav të kohës, strukturat e palëvizshme, strikte të politikës së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar dhe që me kalimin e kohës ditë pas dite filluan t’i kthenin faktorët në anën e tyre. Fillimisht popullatën e Kosovës më pas faktorët politik të Kosovës, të fundit komunitetin politik ndërkombëtar dhe që arritën të motivojnë në ardhjen në Kosovë të aleancës më të madhe të globit, NATO-s.”

Ilir Meta: “Baton Haxhiut në rast se nuk i mungon ndonjë veti, është pikërisht ajo që ai gjithmonë është i aftë që të sjellë risi edhe pse jo rrallë herë është edhe problematik, madje këtu qëndron shpesh edhe risia e tij, mospajtimi me atë perceptimin e përgjithshëm edhe të zakonshëm të opinionit publik.”

Shkëlzen Maliqi: “E ka një rrëfim vërtet ndryshe mbi luftën dhe ka shumë informata për gjërat që ndoshta nuk janë thënë në atë kohë, ose nuk janë thënë në këtë mënyrë dhe dallon prej një serie të librave të tjera po kështu që janë rrëfime ose histori të heronjve të ndryshëm e kështu, ku ka më shumë elemente të hagiografie të madhërimi të këtyre personazheve, të viktimave, ose martirëve, kurse kjo më duket mjaft në histori, një rrëfim objektiv.”

Publicisti Haxhiu tha, se këtë libër ja kushton familjes dhe kolegëve me të cilët ka punuar në gazetën “Koha ditore”.

Baton Haxhiu: “Ata që e kanë parë librin e shohin se libri nuk ka asnjë përkushtim, se ka pas shumë prej tyre që do ja kisha përkushtuar librin. Një prej tyre është familja ime, pastaj vjnë padyshim gazetarët të cilët e kanë marrë barrën kryesore të asaj që quhet luftë  e nivelit tjetër e ata janë të gjithë këtu mes nesh.”

Baton Haxhiu në vitin 98-99 ka qenë kryeredaktori i të përditshmes kosovare “Koha Ditore” nga ajo pozitë ai kishte krijuar lidhje të fuqishme me diploma të perëndimor që përcillnin ngjarjet që krijoheshin në Kosovë, po ashtu zoti Haxhiu kishte arritur që të krijojë lidhje të mira edhe me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.”/tvklan.al