Hetuesit dyshojnë për konflikt mes 2 grupeve kriminale
Hetuesit dyshojnë se përplasja me armë zjarri në mes të Elbasanit, mesditën e 25 Nëntor ka si motiv konfliktet mes dy grupeve kriminale. Rivalë me njëri tjetrin janë Elvis Çaushllari dhe Migert Qosja.
Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dallohet se si 2 makina ndalojnë njëra pas tjetrës. Nga makina tip “Ford” zbresin 3 persona që hetuesit i kanë identifikuar si Migert Qosja, Feliks Filaj dhe Eris Çekani.
Brenda makinës tip “Mazda” ndodhet Elvis Çaushllari të cilin e godasin me grushte dhe mjete të forta. Në një moment duket se Çaushllari ka qëlluar me armë nga brenda makinës pasi të rinjtë që e sulmojnë bëjnë një tërheqje të menjëhershme.
Çaushllari zbret nga makina dhe siç duket në pamje mban një pistoletë në dorë. Por edhe grupi tjetër duket se ka armë dhe të dyja palët kanë hapur zjarr ndaj njëri-tjetrit.
Në një moment të rinjtë largohen dhe në kthim, Migert Qosja ngatërron edhe makinën ndërsa në dorë duket se ka një armë. Pak sekonda pasi ai largohet në vendngjarje ka mbërritur një motor policie.
Elvis Çaushllari i plagosur u arrestua në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Në pranga u vunë edhe Feliks Filaj e Eris Çekani ndërsa në kërkim mbetet Migert Qosja. Ata akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Tv Klan