Publikohet raporti i OECD/SIGMA për adminsitratën publike në Shqipëri. Sipas këtij raporti vendi ynë është lider në rajon sidmos për digjitalizimin, ku në platformën e-Albania ofron 1,247 shërbimet online, që përbën 95% të të gjitha shërbimeve administrative të qeverisë qendrore.

I pranishëm në këtë prezantim ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili pavarësisht arritjeve të Shqipërisë tha se ende ka një punë të madhe përpara.

“Ne jemi në një pozicion që shumëkush nga vendet e rajonit do të donte të ishte. Duke patur popullin pro europian, kemi një bazë të fortë që të gjitha reformat dhe përpjekjet drejt BE-së të kemi mbështetjen e domosdoshme. Jam i palumtur me mënyrën sesi kemi ecur në top management-in të administratës publike. Kemi shumë punë për të bërë dhe do ta mirëpresim çdo financim në dije, sepse jemi në një faze historike me gjithë procesin e reformës në drejtësi, çlirimit të drejtësisë nga duart e politikës, ku duhet të përballim bashkërisht proceset e punës në administratë, proceset që lidhen me vendimmarrjen dhe prokurimet”, tha Edi Rama.

Prokurime publike pavarësisht vlerësimit pozitiv, me 64 pikë nga 100, kryeministri tha se për të rritur transparencën po punojnë për të përfshirë edhe inteligjenca artificiale.

“Edhe në prokurimet publike ne nuk jemi absolutisht të kënaqur dhe jemi duke punuar për një model të inteligjencës artificiale që ta çojmë edhe tek prokurimet publike. Të kemi në një masë shumë të madhe instrumentin teknologjik që bën procesin. Kjo do të bëjë që prokurimet të jenë shumë herë më tepër transparente, më të shpejta, të krijojnë mundësi për punonjësit e administratës që të merren me çështje të tjera”, tha Rama.

Drejtuesi i Programit SIGMA të OECD-së, Gregor Virant tha se Shqipëria është vendi më i dedikuar në transformimin e sektorit publik.

“Keni bërë progres të madh. Pika më e fortë është digjitalizimi. Në mënyrë shumë inteligjente keni njohur rëndësinë e miratimit të elementëve kryesorë. Jeni shumë pranë mesatares së BE për këtë pjesë të këtij indikatori. Së dyti keni legjislacion solid. Pikëzimi juaj sa i takon legjislacionit është përafruar me 81% me BE”, tha Gregor Virant.

Problematikë mbetet edhe perceptimi i lartë i korrupsionit për administratën publike. SIGMA në vitin 2024 kreu dhe anketa me bizneset në Shqipëri për prokurimin publik, ku 42% e biznesit u përgjigjën se refuzuan të marrin pjesë në procedurat e prokurimit publik në tre vitet e fundit për shkak se procedura e prokurimit dukej se ishte e përshtatur për ofertues të caktuar.  

Kjo përqindje është më e lartë se mesatarja e rajonit që e ka 30%.

Klan News