Kolegji i Europës në Tiranë është gati të hapë dyert. Kryeministri Edi Rama bën me dije se ky kolegj do të presë studentët e parë të përzgjedhur për të ndjekur ciklin e studimeve Master duke filluar nga java e fundit e Gushtit.
Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini ishte bashkë me ministren Ogerta Manastirliu për të vizituar shtëpinë e parë të kolegjit në godinën “Liria”.
“Paralelisht, po punohet për projektin e ri të ri të Kolegjit të Europës, i cili pritet të nisë zbatimin brenda vitit 2024, për të garantuar më shumë kapacitete didaktike, ambiente moderne dhe hapësira multifunksionale për studentët dhe profesionistët e rinj. Krenarë që ia dolëm të realizonim në një kohë kaq të shpejtë këtë projekt ambicioz, që i hap rrugën një oferte të re akademike drejt Shqipërisë Europiane 2030”, shkruan Rama.
Kolegji i Evropës një nga institucionet më të vjetra dhe më të respektuara në Evropë i krijuar me qëllimin për të promovuar bashkëpunimin dhe integrimin evropian, ka luajtur rol kyç në ndërtimin e Bashkimit Evropian.
Hapja e kampusit të parë në Tiranë jo vetëm që shënon një partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe institucioneve evropiane, por gjithashtu hap mundësi të mëdha për studentët dhe akademikët nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian, dhe më gjerë. Programet e studimit që ofron Kolegji i Evropës këtu në Tiranë janë me të njëjtat standarde si ato në Kolegjin e Brugge, duke siguruar një cilësi të lartë të mësimit dhe një mjedis të pasur multikulturor dhe ndërkombëtar për studentët.
/tvklan.al