Përpara nisjes së takimit me emigrantët shqiptarë në Athinë, Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, ku ka shprehur vlerësimet e tij për Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Kyriakos është Kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë. Kryeministri grek, më shumë se çdo paraardhës i tij, me të cilin kam punuar, është vërtetë i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare”, ka thënë Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se fjalimi i tij përpara emigrantëve shqiptarë në Athinë nuk përfshin asgjë për rastin e Fredi Belerit.

“Për herë të parë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane, duam ta bëjmë drejtësinë të pavarur nga pushteti politik”, theksoi Kryeministri për “Kathimerini”.

Edhe pse është një vizitë private me diasporën shqiptare dhe nuk përfshin asnjë takim me zyrtarë grekë, Rama do të shoqërohet nga forca të shumta policore greke. Sipas mediave të Athinës, do të jenë rreth 1000 forca policore që do të shoqërojnë Kryeministrin shqiptar gjatë gjithë vizitës, që nga mbërritja në aeroport, shoqërimi me eskortë dhe siguria në stadiumin “Galatsi” ku do të mbahet takimi.

/tvklan.al