“Nuk përfaqësojnë opinionin e shumicës së artistëve”
Edi Rama e nisi herët në mëngjes reagimin e tij për presidentin, opozitën dhe artistët që janë kundër ndërtimit të Teatrit të Ri. Përmes një video ku shfaqen të gjitha punët publike, të kontestuara përpara se të niste zbatimi i tyre, kryeministri shkruan: Zoti u shtoftë inatin, që të na shtojnë takatin.
Më pas, përmes një tjetër postimi huazon shkrimtarin Paolo Cohelio, për t’ju përgjigjur akuzave se projekti i Teatrit të ri është për të favorizuar oligarkët.
“Disa persona jetojnë vazhdimisht në luftë me të tjerët, me vetveten, me jetën e tyre! Për këtë arsye shpikin vepra teatrale imagjinare, skenarin e të cilave e përshtasin me sikletet e tyre. (Paolo Coelho)”
Për të treguar se kush po proteston kundër Teatrit është minorancë, Kryeministri postoi edhe një deklaratë të aktores dhe ish-deputetes demokrate, Rajmonda Bulku, e cila një vit më parë u deklarua pro shembjes së Teatrit.
“Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër. Nuk ka rëndësi fare se çfarë. Godina e teatrit duhet shembur, pa dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël. Unë nuk e di se si punojmë aty, është turp të punosh aty. Tani që u gjet Turbina, shumë mirë, ajo sallë është për atë zonë, atë lagje dhe si ajo duhet të ndërtohet edhe një në Kombinat, edhe një në Laprakë, që padyshim është një lagje afër Tiranës. Unë do të dëshiroja që të ngrihet një Teatër i ri Kombëtar i ri, me parametra të tjerë”.
Kryeministri solli në vëmendje edhe një pjesë nga intervista e regjisorit Leka Bungo për emisionin “Zonë e Lirë”, shoqëruar me komentin se një tjetër emër i njohur i skenës që nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste është pro prishjes se Teatrit ekzistues dhe ndërtimit të një teatri të ri.
Tv Klan