Politikanët shqiptarë nuk janë shfaqur të befasuar nga përjashtimi i Shqipërisë nga lista e vendeve që do të përfitonin nga ndihma amerikane prej nji miliardë dollarësh në kuadër të programit “Llogaria e sfidës së mijëvjeçarit”. Komisioni i kyresuar nga sekretari amerikan i shtetit Colin Powell ka përzgjedhur 16 shtete të varfra nga një liste prej 63 vendesh të Botës së Tretë. Ndër vendet fituese mund të përmendim, Armeninë, Bolivinë, Mongolinë, Sri Lankën, Mozambikun dhe Gjeorgjinë. Llogaritej që Shqipëria të përfitonte rreth 60 milionë dollarë nga llogaria amerikane për shekullin e ri.
“ Kjo duhet shoqëruar me ndryshime në vizionin e qeverisjes së vendit ,e cila pa dyshim mbart edhe ndryshime në përbërjen e qeverisjes, për arsye sepse vizioni mbartet nga njerëz të cilët e formojnë këtë vizion dhe e implementojnë këtë vizion. Do të thosha që vizioni politik i derisotëm, tepër dritshkurtë.”
Paskal Milo: “Lufta që duhet të bëjë Shqipëria ndaj krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit mbetet në rend të ditës dhe duhet të tërheqë vëmendjen maksimale, jo vetëm të qeverisë shqiptare, por dhe të gjitha institucioneve të tjera të shtetit shqiptar.”

Fatmir Mediu: “Përpara se të publikojmë deklarata përshëndetëse të cilat janë normale në protokoll ndërmjet përfaqësuese të lartë të dy vëndeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, është e rëndësishme të kuptojmë deklaratat thelbësore që kanë ardhur si shqetësime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raportet e departamentit amerikan të shtetit apo në analizën e fundit dhe klasifikimi që u bë për programin “Millennium challenge”
Shkak kryesor për përjashtimin e Shqipërisë nga ndihma amerikane për shekullin e ri mësohet të kenë qenë rezultatet e pamjaftueshme në luftën ndaj korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar. Në këtë mënyrë nuk ka mjaftuar as mbështetja me trupat komando në luftën e Irakut dhe as orientimi pro amerikan i politikës së jashtme nga qeveria shqiptare. Përfundimisht Shqipërisë i duhet të presë nga një tjetër program amerikan i quajtur “Vëndet e pragut”, i cili do të drejtohet në një numër të kufizuar vendesh kandidate që nuk kanë plotësuar kërkesat, por që janë përkushtuar në reforma. Presidenti amerikan George Bush ka kërkuar 2.5 milionë dollarë për vitin financiar 2005 në ndihmë të vendeve të varfra. /tvklan.al