Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një pjesë e socialistëve kanë reaguar ndaj ndryshimeve në kryesi, kërkesë kjo e paraqitur nga disa anëtarë në mbledhjen e KPD-së, por e mbështetur edhe nga kryetari i partisë.

Një prej anëtarëve të kryesisë, Arta Dade deklaron, se nuk do të japë dorëheqjen, madje sipas saj, socialistët duhet të analizojnë kritikat e ndërkombëtarëve, për të cilat përgjegjësinë kryesore e mban qeveria sipas saj. Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit dhe zv/kryeministri ndajnë qëndrime të kundërta mbi ndryshimet në kryesi, ndërsa shprehet pro tyre nënkryetarja Makbule Çeço.

Arta Dade: “Pra ndryshimet do t’i mbështesja vetëm mbi bazën e analizave në linjë vertikale dhe e dyta, kur një parti qeverisë vendin, pra është në qeverisje, sigurisht që përgjegjësitë më të mëdhaja spostohen në qeverisje. Kryesia ndoshta nuk ka funksionuar në kërkesën e llogarisë, ndaj atyre që ajo i ka mandatuar me detyra të ndryshme siç mund të jetë rasti në mjetet e propagandës, apo siç mund të jetë rasti për qeverinë. Kryesia gjithmonë i ka dhënë mandatin kryeministrit, për të përfshirë në kabinet cilindo që ai ka preferuar dhe ne kemi mangësi të theksuara në bërjen e analizave, prandaj besoj që më mirë të përqendrohemi tek raportet që vijnë nga BE dhe sigurisht është përgjegjësia ekskluzive e qeverisë për këtë dhe kryesia zbaton vetëm vendimet që merr KPD. Ne po veprojmë sikur jemi në opozitë, Unë do ta kërkoja një ndryshim vetëm mbi bazën e analizave dhe cili person nuk ka kryer detyrat e duhura nga KPD, atëherë ai është i hapur para këtij organizmi që e ka zgjedhur, por mënyra se kush sulmon më shumë promovohet, kjo duhet të marri fund.”

Servet Pëllumbi: “Ndryshimet duhet të bëhen në shtratin e demokracisë dhe jo në shtratin e opinioneve që qarkullohet poshtë e lartë.”

Makbule Çeço: “Unë nuk jam kurrë kundër ndryshimeve.”

Namik Dokle: “Kuptohet, PS që kur është krijuar dhe vazhdimisht është një parti që ndjekë politikën e ndryshimit, një politikë e ndryshimit racional, për hir të fitoreve që kemi arritur dhe që do arrijmë edhe në të ardhmen.”

Kryetari i Kuvendit Pëllumbi komentoi shkurt dhe ndarjen e parë historike të PS, duke e cilësuar normale dhe shkëputjen e LSI. Servet Pëllumbi: “Po para zgjedhjeve zakonisht bëhen lëvizje politike dhe kjo është në atë shtrat.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj