Pak orë pas miratimit me votat e mazhorancës të ngritjes së një komisioni hetimor për lejet e ndërtimit të dhënë nga KRT-ja e bashkisë së Tiranës nga viti 2007, numri një i kësaj bashkie Edi Rama ka reaguar duke e quajtur këtë si një sulm politik.
Edi Rama: “Ky nuk është një komision hetimor, gjithsesi ky është një sulm politik i ulët dhe i organizuar për të kompensuar sipas organizatorëve të tij atë boshllëk të madh mes tyre dhe zgjedhësve.”
Në një konferencë të posaçme për shtyp i pyetur nga gazetarët, Rama la të kuptohej se ai nuk do të paraqitet përpara këtij komisioni duke e quajtur atë të jashtëligjshëm.
Edi Rama: “ Ky komision hetimor është i jashtëligjshëm. Ligji ndalon krijimin e komisioneve hetimore 4 muaj përpara zgjedhjeve. Ky komision hetimor është i jashtëligjshëm edhe për shkak se gjykata kushtetuese është shprehur lidhur me marrëdhëniet mes parlamentit dhe pushtetit vendor.”/tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani