Pak orë pas miratimit me votat e mazhorances të ngritjes së një komisioni hetimor për lejet e ndërtimit të dhënë nga KRT-ja e bashkisë së Tiranës nga viti 2007, numri një i kësaj bashkie, Edi Rama ka reaguar, duke e quajtur këtë si një sulm politik.

Edi Rama: “Unë jam këtu në këtë rol dhe në këtë pozicion sepse dua që ta ndryshoj këtë politikë dhe dua që ne të ndahemi për vizionet, për idetë për programet dhe jo të kacafytemi për interesat e  një grushti njerëzish dhe arsyeja pse as s’jam përgjigjur dhe as s’do ti përgjigjem ndonjëherë baltës me baltë dhe mllefit me mllef është sepse besoj tek një politikë e re e ëndrrave dhe shpresave.”

Në një konferencë të posaçme për shtyp, i pyetur nga gazetarët, Rama la të kuptohej se ai nuk do të paraqitet para këtij komisioni, duke e quajtur atë të jashtëligjshëm.

Edi Rama: “Ky komision hetimor është i jashtëligjshëm, ligji ndalon krijimin e komisioneve hetimore 4 muaj përpara zgjedhjeve edhe për shkak se gjykata Kushtetuese është shprehur lidhur me marrëdhëniet parlamentit dhe pushtetit vendor, por ky nuk është një komision hetimor. Gjithsesi ky është një sulm politik i ulët dhe i organizuar.”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani