Real Madrid përballet me Atalantën në Champions League, në ndeshjen e vlefshme për raundin e gjashtë.
Italianët vijnë si një nga ekipet më në formë të momentit, ndërsa madrilenët të uritur për pikë.
Në prag të kësaj përballje, trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, pranoi se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ndërsa shtoi se në këtë fazë ku ndodhet ekipi, janë shumë të rëndësishme pikët.
“Ata kanë qenë ekip shumë i mirë prej kohësh. Këtë sezon janë akoma dhe më të fortë. Vijmë nga një moment i vështirë, por jemi Real Madrid. Me Gasperinin, jemi miq të mirë. Ai ishte trajner i ekipit të të rinjve të Juventusi, kur unë isha atje. Po bën një punë fantastike. Çdo sezon i ndryshohen lojtarët, por ai di si të përshtatet. Do të jetë një ndeshje intensive dhe e bukur.
Unë kam besim tek ekipi dhe lojtarët e mi. Ne jemi përmirësuar. Pres një ndeshje shumë të vështirë në Itali. Ne do të luajmë për të marrë tre pikët, për të synuar më pas kualifikimin. Do të jetë e vështirë për të siguruar një nga tetë vendet e para, por luajmë vetëm për të marrë tre pikët”, deklaroi Ancelotti.
Ndeshja Atalanta-Real Madrid, do të luhet të Martën, në orën 21:00. /tvklan.al