Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Komisioneri i PS:- “Problemet kanë filluar ditën e djeshme, që nga ora dy e drekës, deri në orën dy e gjysmë të natës, ku janë paraqitur të gjithë komisionerët e PS dhe ka pasur mungesa të theksuara në paraqitjen e komisionerëve të PD. Kjo ka bërë që deri në orët e vona të natës, ne të bëjmë disa protesta, për KQZ, për komisionin e zonës dhe për Partinë Demokratike, për të ndërmjetësuar pjesëmarrjen e tyre në këtë proces”.

Gazetarja: Ka pasur probleme sot të paktën në 18 zona votimi, madje në njërën prej tyre edhe për shkak të mungesës së një prej komisionerëve tuaj, të paktën kështu është informuar. A mund të na informoni dhe ju në lidhje me problemet që keni pasur?

Komisioneri i PS:- “Fillimisht, dita e sotme filloi me mangësi në proces, deri në orën 10:20 edhe këtu shkaktar kryesor të mos ecjes normalisht të këtij procesi kanë qenë kryesisht kryetarët, sekretarët dhe nënkryetarët e PD, po kështu ka pasur mungesa dhe në anëtarët e PD në komision. Kjo bëri që procesi të fillojë me vonesë. Unë nuk mendoj që kjo është diçka e qëllimshme, për zhvillimin e këtij procesi, por ndryshimi i 20 komisionerëve nuk është një gjë normale për një proces normal”.

Deklarata e PD:- “Ky proces po përballon një seri shkeljesh dhe një seri defektesh serioze, së pari kutitë e votimit si në asnjë rast tjetër të procesit zgjedhor në Durrës, së bashku me bazën materiale përkatëse janë shpërndarë deri në orët e para mëngjesit, së dyti, lista përfundimtare pavarësisht nga korrektimet që i janë bërë, gjatë një muaji e gjysmë, nuk përputhet me listat fillestare dhe me qindra votues nuk po gjejnë emrat nëpër lista. Ky fakt komprometon rëndë KQZ. Në bazë të verifikimeve të bëra rezulton, se në qendrën e votimit të vendosur tek shkolla “Jorgjia” dhe në qendrën e votimit të vendosur tek shkolla “Gjergj Kastrioti” është vendosur e njëjta listë zgjedhësish. Me gjithë këto mangësi, ne u sugjerojmë qytetarëve që të kontaktojnë me ne në zyrat e PD, e cila ka të kompjuterizuar të gjithë informacionin që u nevojitet atyre. Së treti, KZQV ka sakrifikuar një listë komisionerësh të opozitës të cilët deri në orën 11 nuk janë lejuar të futen në qendrat e votimit, për shkak të mos aprovimit të listës nga ana e KZQV. Pranimi i komisionerëve është bërë pas ndërhyrjes së OSBE-së. Së katërti, asnjë qendër votimi nuk ka lista të afishuara të zgjedhësve, gjë që ka krijuar pështjellim tek votuesi dhe vë përpara përgjegjësisë KZQV. Së pesti, komisionerët socialistë u kanë raportuar njerëzve të panjohur në zonën e Plazhit, Spitallës dhe Kënetës, kodet sekrete të kutive të votimit, gjë që komprometon tentativën e klanit Koka për të manipuluar me kutitë e votimit pas përfundimit të procesit zgjedhor. Së gjashti, anëtari i kryesisë së PS Ilir Tanku po shpërndanë fletë votimi në qendrën e votimit në shkollën “Gjergj Kastrioti”. Sipas informacioneve, këshilltari socialist Ilir Tanku shfaqet pranë qendrës së votimit duke shpërndarë fletë votimi, të cilat po u jepen zgjedhësve si militantë socialistë”./tvklan.al