Një e-mail në adresë të Ambasadës së Ukrainës ka alarmuar stafin e selisë diplomatike në Tiranë dhe Policinë e kryeqytetit. Persona ende të paidentifikuar dërguan një mesazh në postën elektronike ku thuhej se në ambientet e ambasadës ishte vendosur bombë.
Menjëherë shërbimet e policisë dhe njësia anti-eksploziv shkuan në ambientet e ambasadës ku bënë evakuimin e stafit të ambasadës. Pjesë e verifikimeve u bë dhe Anti-terrori pranë Policisë së Shtetit.
Verifikime pati edhe në ambasadën e Serbisë, e cila ndodhet ngjitur me ambasadën e Ukrainës. Nga kontrollet dhe verifikimet përkatëse që zgjatën rreth 1 orë, rezultoi se ishte njoftim i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Anti-terrorit dhe strukturat e specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik në bashkëpunim me stafin e Ambasadës po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës për rastin.
Klan News