Lidhni rripat e sigurimit, kujdes me shpejtësinë dhe mbi të gjitha me pijet alkolike. Pasi siguria rrugore është këto ditë prioriteti i policisë.

 Kjo është një nga shumë pikat e kontrollit që policia rrugore e Tiranës ka ngritur për të mbajtur nën kontroll mbarëvajtjen e qarkullimit dhe minimizimin e numrit të aksidenteve.

Jemi në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të fshatit Maminas, ora 01:00 pas mesnate, është fundi i korrikut dhe fluksi i lëvizjeve të automjeteve në akset kryesore është rritur ndjeshëm, sikurse e shihni dhe në këto orë të vonë të natës. Thuajse të gjitha automjetet i nënshtrohen kontrollit dhe për shkelësit e kodit rrugorë ka penalizime.

Krenar Ahmeti: “I kemi dhënë përparësi të madhe kontrolleve të pijeve alkolike. Zakonisht presim te limiti ose tek kufiri administrativ që mos të lejojmë që brenda zonës tonë administrative të lëvizin persona të cilët kanë përdorur pije alkolike. Në të gjitha pikat hyrëse të Tiranës janë ngritur postblloqe”.

Ndonëse sezon pushimesh, një apel i rëndësishëm është për t’u pasur në vëmendje.

Krenar Ahmeti: “Ju lutem të gjithë qytetarëve që të përdorin rripat e sigurimit si shoferi edhe pasagjeri. Rripi i sigurimit të shpëton jetën”.

Vetëm mbrëmjen e djeshme për mungesë dokumentacioni, janë sekuestruar 4 makina luksoze të tipit BMW, Audi, Nisan dhe Volkswagen. Janë bllokuar 16 patenta për përdorim të pijeve alkolike tej normave të lejuara e 20 të tjera për tejkalim shpejtësie, po kështu janë bllokuar për mungesë dokumentacioni edhe 17 motor./tvklan.al

Gazetari: Drini Zeqo

Operator: Genti Koçi

Montazh: Vilma Halilaj