Ish-ministri Genc Ruli ka qenë një prej personazheve politikë të rëndësishëm të 30 viteve pluralizëm të vendit tonë. Në një rrëfim për emisionin “Opinion” ai ka folur për marrëdhënien që ka pasur me ish-kreun e PS-së, Fatos Nano.

Ruli tha se ka pasur njohje me Nanon. Sipas tij, ai konsolidoi pushtetin në krye të Partisë Socialiste pasi u fut në burg. Megjithatë, për Rulin, Nano ka lënë një model kolegjialiteti mbi PS-në dhe strukturat e saj.

“Fatosi ka qenë në një gjimnaz me mua. Pastaj ishte pedagog i jashtëm i Ekonomikut. U ndeshnim. Kishim njohje, goxha njohje me Fatosin, pastaj qe politika, qe politika që njëherë pak i nervozuar më tha kur ishte kryetar i PS “pse çfarë diference ka në mendime, në liberalizëm filozofi mes meje, Gramozit dhe ty. Madje kam qenë dhe më liberal se ty”. “Po”, i thashë unë. Ndryshimi qe në atë sekondë, në atë moment. Përgjithësisht kam pasur respektin për të në formatin e tij intelektual. Në lidhje me qeverisjen dua të them, Fatosi si kryetar partie së pari, konsolidimin e pushtetit ia dha burgu. Në momentet e para ai qe një figurë krejt e re e papërshtatshme për trupin e Partisë së Punës dhe e shihnin si të huaj. Martirizimi i dha pushtetin. Fatosi në finale la një vijë të qartë të një liberalizmi konseguent nga ana e tij. Një liberalizim që vinte dhe nga një lloj moskokëçarje, por ama la një model kolegjialiteti mbi emrin e partisë dhe strukturave të partisë”, tha Ruli.

 Ruli ka qenë ministër i parë i Financave në qeverinë e stabilitetit. Edhe në qeverisjen e Berishës më vonë ka mbajtur sërish role të rëndësishme si ministër Ekonomie dhe Bujqësie./tvklan.al