Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të shtunë në Kukës se Meta u bë President me votat e tij. Kreu i qeverisë u shpreh se Meta kërkon sherr me dy palëve pasi do të përfitojë vetë.
Kreu i ekzekutivit i është kthyer pas kohës kur Meta u zgjodh President dhe tha se ka pasur rol në momentin e ngritjes së çadrës së opozitës përpara kryeministrisë.
Rama tha se Meta është kthyer në lolo dhe se “njerëzit edhe i lëshojnë pëllumbat”.
“Çfarë kërkon Ilir Meta nga Shqipëria që nuk rri dot një ditë rehat dhe nuk rri dot pa nxitur sherr. Kur zihen dy vetë fiton një i tretë thotë populli dhe kjo është deviza e Ilir Metës. Fut në sherr dy që ti të dalësh i treti që bën paqe. E bënë shqiptarët kryeministër 30 vjeç, e bën kryeparlamentar 40 vjeç dhe President 50 vjeç. Edhe unë, edhe ne kemi dhënë votën, por ishte me votat e tij në parlament Ilir Meta dhe pa votat e tij nuk bëhej presidenti. Ne nuk mund ta linim vendin pa President ashtu sikur nuk gjenim dikë tjetër, ashtu si në atë moment donin t’ia jepnim Presidentin opozitës. Unë isha shumë i qartë se kush ishte roli i Metës edhe tek çadra, hidh gurin e fshih dorën. Ishte e qartë që Ilir Meta e kishte vendosur që të hidhej prapë në anën tjetër dhe ne i dhamë një President opozitës, por President, jo lolo. Fakti që Meta është kthyer në lolo nuk do të thotë që ka qenë lolo edhe në të shkuarën. Njerëzit edhe rrjedhin, edhe lajthisin, edhe i lëshojnë pëllumbat kur i thonë, nuk mund të parashikohet kjo. Më thoni, për çfarë arsye duhet votuar më për partinë e Ilir Metës”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nuk kurseu ironinë me drejtuesit e opozitës, Lulzim Basha e Monika Kryemadhin.
“Mos e harroni që këtë herë voton Lulin, por s’merr Lulin, merr Monikën bashkë me Ilirin, imagjino njësoj si ato çokollatat e kalamajve dhe brenda asaj kokrrës ke jo 1 po 2 gogol. Këtu është jep një votë e merr dy bela. Prandaj është koha që të gjithë ta mbledhin mendjen mirë që mandati i tretë i është mandati që i vë vulën përfundimisht një transformimi që bëhet i pakthyeshëm. Ndërprerja e rrugës sonë i kthen të gjitha mbrapsht. Imagjinoni të vijë, Saliu, Ilir, Monika dhe Luli. Në fakt Luli është ndryshe nga këta, por nuk e ndaj dot nga këta se s’ka fuqi të tërheqi këta, e tërheqin këta atë dhe e vënë përpara si djalë të bukur se këta të 3 kanë edhe problemin që vizualisht nuk janë aq të përtypshëm sa Luli”.
Reagimi i kryeministrit vjen një ditë pas deklaratave të forta të Presidentit Meta në emisionin “Zonë e Lirë”.
Kreu i shtetit i tha “qen bir qeni” kryeministrit pasi ky i fundit ka deklaruar: “çfarë kërkon Ilir Meta të bëhet mbret apo të bjerë dëshmor”? Ai i bëri thirrje Ramës që të mos provokojë më trazira, sipas tij për llogari të Sorosit dhe Serbisë./tvklan.al