Lajme Arkiva 2003

Lideri i opozitës Berisha ka shfrytëzuar raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar me kritika për Shqipërinë për të kërkuar një mocion mosbesimi ndaj Kryetarit të Lartë të Shtetit Mustafa Kërçuku.

Berisha ka kërkuar që ditën që Kërçuku do të jetë në parlament për të paraqitur raportin vjetor të lexohet raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar për të kaluar më pas në mocionin e shkarkimit të kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sali Berisha: Ju ftoj që të vëmë në rendit e ditës raportin e vitit 2002 të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Mundësisht atë ditë që lexohet raporti i Kërçukut të korrupsionit, të lexohet edhe raporti nga ju zoti kryetar të ngarkoni një njeri të nxjerrë dhe të lexoj raportin e Fondit Monetar dhe pastaj do të procedohet me mocion mosbesimi ndaj Kërçukut të korrupsionit për ti dhënë fund kësaj komedie të vërtetë që është një tragjikomedi e rëndë që luhet në sofrat në votrat, në jetën e të gjithë shqiptarëve të varfër.

Por kërkesa për leximin e fondit monetar ndërkombëtarë nuk është pranuar nga kryetari i kuvendit Servet Pëllumbi. Opozita ka kërkuar gjithashtu që pas raporteve të shumta të ndërkombëtarëve për situatën e rëndë kriminale në vend, pas raportimit nga Prokurori i Përgjithshëm parlamenti të parashikoj një seancë debati me pjesëmarrjen e Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Rendit, Prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të Shërbimit Informativ.

Ndërsa duke folur për ngjarjet e fundit në Laç dhe Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike Berisha dhe deputeti i Laçit Pal Dajçi kanë akuzuar strukturat e Ministrisë së Rendit se kanë gisht në këtë ngjarje.

Pal Dajçi: Të gjithë ju që mund të “zgërdhiheni” me akte kriminale të jeni të sigurt ti dhe kushdo tjetër se nuk do t’ju lë të qeshni kur bëhet fjalë për akte kriminale.

Por kjo është hedhur poshtë nga ministri Rama i cili ka deklaruar se në strukturat që ai drejton nuk ka asnjë uniformë të inkriminuar.

Luan Rama: Marr përsipër të flas me përgjegjësi edhe për ata që ka punësuar regjimi i Berishës që nuk ka asnjë dorë të policisë në veprimet që ai përmendi./tvklan.al