Nga Konferenca e Rimëkëmbjes që mbahet në Berlin, kancelari gjerman Olaf Scholz garantoi presidentin ukrainas Volodomyr Zelensky se nuk do të ketë paqe të diktuar në Ukrainë.
Sipas Scholz në samitin që do të mbahet në Zvicër do të diskutohen parimet për një paqe të qëndrueshme. “Këto nuk janë ende negociata për një fund të luftës, sepse për këtë Presidenti rus Vladimir Putin do të duhet të tregojë se është i përgatitur të përfundojë fushatën e tij brutale dhe të tërheqë trupat,” tha Scholz.
Zelensky: A keni qëllim tjetër përveç paqes?
Në një fjalim në Bundestag, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky iu drejtua ligjvënësve gjermanë, duke i bërë thirrje Evropës të punojë së bashku për të bërë Rusinë të ndryshojë.
“A keni ju dhe unë ndonjë qëllim tjetër përveç paqes? Jo. A kemi ndonjë ëndërr tjetër kontinentale përveç një Evrope paqësore? Jo. A kemi ndonjë detyrë tjetër përveçse të mbrojmë popujt tanë, Evropën tonë dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla? Jo. Rusia është një kundër të gjithëve, dhe kjo është arsyeja pse ne të gjithë duhet të punojmë së bashku për të bërë ndryshim.”
Zelenskiy vizitoi grupin e 21-të të raketave tokë-ajër në Sanitz, Gjermani ku takoi ushtarët ukrainas që trajnohen për të operuar sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot. I shoqëruar nga ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius Zelenskiy inspektoi vendin ku mbahen sistemet Patriot që pritet të dërgohet në Ukrainë.
Mes të tjerash kancelari gjerman Gjermania u zotua të furnizojë Ukrainën me një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuar nga SHBA. Ai vuri në dukje se këto sisteme dhe armë të mbrojtjes ajrore do të dorëzohen në Ukrainë brenda dy javëve dhe muajve të ardhshëm. Scholz gjithashtu u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të shqyrtojnë inventarët e tyre dhe të ofrojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Nga ana tjetër Hungaria ka bërë të ditur se nuk do të bllokojë planet e NATO-s për koordinimin e mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën. Sipas planeve të mbështetura nga Stoltenberg, NATO do të merrte përsipër koordinimin e furnizimeve të armëve nga Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës të udhëhequr nga SHBA, një koalicion prej rreth 50 kombesh, i quajtur Ramstein.
Ndërkaq ushtria ukrainase zmbrapsi një sulm duke rrëzuar më shumë se 20 dronë dhe raketa ruse. Nga ana tjetër në vijën e frontit verior të Kharkvit, Rusia bombardoi një stacionin e zjarrëfikësve në Lyptsi. Nuk pati të lënduar ndërsa është hera e dytë që ndërtesa shkatërrohet pas sulmit të vitit 2022.
Klan News