Seanca paraprake për dosjen “Partizani” është shtyrë sërish. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 6 Janar të vitit tjetër.
Gazetarja Bleona Metushi raportoi gjatë edicionit të lajmeve në Tv Klan se në seancën e sotme prokuroria lexoi kërkesën për gjykim ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë.
Mësohet se ka pasur debate dhe diskutime me avokatët që kanë pretenduar se kërkesa për gjykim nuk ka sqaruar rrethanat penale për të cilat akuzohen klientët e tyre.
Gjykata pasi dëgjoi Prokurorinë e Posaçme vendosi të shtyjë seancën për 6 Janar. Në atë seancë do të dëgjohet mbrojtja. Ata do të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj kërkesës së SPAK.
Avokati i Berishës tha se prokuroria nuk ka konkluduar si është shkelur ligji nga të pandehurit. Pasi të dëgjojë edhe palën tjetër, gjykata do të vendosë nëse do ta kalojë ose jo çështjen për gjykim.
Më herët SPAK ankimoi në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e Shkallës së Parë që revokoi masën e “arrestit në shtëpi” për kryedemokratin Sali Berisha.
Tv Klan