Partitë shqiptare i janë përgjigjur akuzave të liderit të opozitës Hristjan Mickoski se po synohet të zbatohen dy skenarë për zgjedhjet presidenciale të 8 Majit, duke akuzuar BDI-në e Ali Ahmetit.

Kreu i Aleancës së Shqiptarëve, Ziadin Sela në koalicion me BDI-në në Frontin Evropian ka deklaruar se lideri i opozitës duhet të sqarojë se kush kërkon destabilitet në Maqedoninë e Veriut.

“Nëse bën thirrje për unitet vetëm të Maqedonasve, mendoj se gabon, për shkak se ky unitet do të rezultojë me ndasi etnike. Fatkeqësisht ai duhet të sqarohet nëse ky urdhër është marrë nga dikush, nëse disa forca kërkojnë jostabilitet në Maqedoni që të ketë një diskurs të këtillë politik për këto zgjedhje. Kjo është e dëmshme për qytetarët”, tha Sela.

Lidhur me zhvillimet në ASH, Sela thotë se Taravari ka vepruar me urdhër të Mickoskit.

“Nga e dinte Mickoski tri javë më parë se do t’i ndajmë rrugët me Taravarin. Do të thotë, duke ndjekur hapat dhe ngjarjet që ndodhën, Taravari është nën urdhrat e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Pse, ai duhet të sqarojë. Ai u arratis nga partia”, tha Sela.

Në intervistën për MIA-n, Sela mbetet në qëndrimin se fillimisht duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese, e më pas të formohet Qeveria e re. Debati rreth ndryshimeve kushtetuese, siç thotë, ka përfunduar dhe duhet vetëm të votohet.

Tv Klan