Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj pesë oficerëve të zbulimit rus dhe një shtetasi civil rus në lidhje me një sulm të madh kibernetik, i cilësuar nga prokurorët amerikanë si goditja e parë e Kremlinit në luftën kundër Ukrainës.
Departamenti i Drejtësisë akuzoi rusët për kryerjen e sulmit dashakeqës “WhisperGate” në janar të 2022 që synonte të dobësonte infrastrukturën civile të Ukrainës përpara sulmit rus një muaj më pas. Aktakuza origjinale, e ngritur në qershor në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së për Distriktin e Maryland-it, përmendte vetëm një të pandehur të vetëm: Amin Stigal.
Matthew G. Olsen, ndihmës avokati i përgjithshëm për sigurinë kombëtare: Këta komplotistë nuk i kufizuan aktivitetet e tyre vetëm në Ukrainë. Ata synuan kompjuterë në mbarë botën dhe përdorën infrastrukturat kompjuterike të një kompanie me bazë në SHBA. Ata vazhduan të synonin sistemet kompjuterike në vende të tjera që mbështesin Ukrainën në luftën e saj. Në fund të fundit, objektivat e tyre përfshinin sistemet kompjuterike dhe 26 partnerë të NATO-s, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Ai akuzohet për komplot me agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, e njohur si Drejtoria kryesore e Inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm, që synonte të niste sulme kibernetike kundër sistemeve kompjuterike në Ukrainë dhe vende të tjera, duke përfshirë një rrjet kompjuterik të mbajtur nga një agjenci e paidentifikuar amerikane në Maryland.
Sipas aktakuzës, me Amin Stigalin kanë bashkëpunuar agjentët rusë të Drejtorisë kryesore e Inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm: Vladislav Borovkov, Denis Denisenko, Yuriy Denisov, Dmitriy Goloshubov dhe Nikolay Korchagin. Zyrtarët e FBI-së thanë se njësia GRU ka operuar gjithashtu me emrat Cadet Blizzard, Ember Bear dhe Dev-0586, duke kryer sulme kibernetike në infrastrukturën kritike në të gjithë Evropën, Amerikën Qendrore dhe Azi.
Përveç akuzave të reja, zyrtarët amerikanë thanë se po ofrojnë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi secilin nga rusët e akuzuar. Zyrtarët thanë se po bashkëpunojnë me Interpolin për të dërguar të dhëna që mund të ndihmojnë në arrestimin e gjashtë rusëve.
Klan News