Mosmarrëveshjet në futbollin shqiptar që kanë degjeneruar në dhunë kanë qenë të pranishme thuajse në të gjithë sezonin e vjetshëm, por duket se këtë vit do të vazhdojmë të dëgjojmë për sherre në stadiume.
Sherri është shfaqur që në javën e katërt të Superligës, por nuk kanë munguar të tilla ngjarje të shëmtuara edhe në kategoritë e tjera të futbollit shqiptar.
Ndëshkimet nga komisioni i disiplinës në Federatën e Futbollit nuk kanë munguar, të bazuara këto në rregulloren e aktivitetit të futbollit, e miratuar kjo e fundit nga të gjithë klubet, por mesa duket asnjëherë masat shtrënguese nuk mjaftojnë.
Ndëshkimet në mjaft raste në komisionet e FSHF-së janë falur siç ndodhi edhe me Burrelin dy vjet më parë pasi ekipit matjan iu fal dënimi edhe pse i dërguari Sulejman Mema për pak sa nuk humbi jetën nga goditjet e pësuara.
Deri tani kemi parë të dënohen ekipet, të dënohen futbollistët, të dënohen trajnerët, të dënohen madje edhe stadiumet, por nuk janë dënuar asnjëherë tifozët, ashtu siç kemi parë në kampionatet e huaja të procedohen penalisht apo minimalisht të pezullohet hyrja në stadiume për një kohë të caktuar.
Shqiptarët, tifozët por edhe njerëzit e futbollit shkojnë në stadium jo për të shijuar një ndeshje në fundjavë, por mesa duket për të çliruar energjitë negative.
Këtë vit është lajmëruar që masat do të jenë ekstreme edhe nëse do të jetë përsëri një flluskë sapuni nuk mund ta quajmë çudi, por thjesht një ndodhi shqiptare./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe