Anëtari i kryesisë dhe një prej figurave me te njohura të Partisë Socialiste Arben Malaj ka dalë hapur kundër asaj që ai e ka quajtur si një fushatë penalizuese ndaj zërave që kërkojnë dorëheqjen e Ramës.
Në një deklaratë për shtyp të bërë publike pasditen e së mërkurës, deputeti socialist thekson se ky fenomen përjashtimesh dhe përplasjesh është një prej ngjarjeve më të rënda në historinë 18-vjeçare të kësaj force politike.
Më tej eksponenti i selisë rozë thekson në deklaratën për mediat se presioni ndaj strukturave të bazës është një cenim i rëndë i të drejtave elementare të çdo individi.
Disiplina partiake dhe solidariteti partiak janë alibi të dëmshme dhe të pamjaftueshme për ta fshehur mentalitetin jo demokratik, që kur tolerohet rrezikon të sjell diktaturë në rritje, vijon Malaj.
Sipas tij një ashpërsim i ballafaqimit publik midis mbështetësve dhe të pakënaqurve brenda radhëve të Partisë Socialiste, rrezikon të krijojë një ambient të vështirë politik që vetëm e dëmton këtë forcë politike dhe vonon rifitimin e kredibilitetit publik të saj.
Ky qëndrim i Malajt vjen pas reagimit të disa anëtarëve të asamblesë së Partisë Socialiste në Lushnje dhe Shkodër të cilët kërkuan largimin e kryetarëve të degëve në rrethe, pasi këta të fundit fajësuan Ramën për humbjen në zgjedhjet e 28 Qershorit, duke i kërkuar dorëheqjen siç e parashikon edhe statuti i Partisë Socialiste.
Arben Malaj është një ndër eksponentët e parë të selisë rozë që pranoi humbjen e Partisë Socialiste në zgjedhje, duke bërë me përgjegjësi direkte kreun e saj Edi Rama në arritjen e këtij rezultati që e lë Partinë Socialiste në opozitë edhe për katër vite të tjera./tvklan.al