Barazimi pa gola me Sherif Tiraspolin i dha mundësi Shkëndijës të kualifikohet në turin e tretë të Champions League. Skuadra tetovare shkoi më tej pasi kishte fituar takimin e parë, falë një goli të Besart Ibraimit. Në ndeshjen e kthimit tekniku Qatip Osmani rreshtoi ekipin me një skemë mbrojtëse për të mos i lejuar kundërshtarit t’i afrohej portës.
“Edhe pse u orientuam më shumë në mbrojtje u përpoqëm të rrezikonim në sulm dhe besoj se ia arritëm qëllimit”, Qatip Osmani, trajner i Shkëndijes.
Kundërshtari i radhës do të jetë skuadra austriake Salzburg që sezonin e kaluar mbërriti deri në gjysmëfinalen e Europa League. Shkëndija synon të marrë pjesë në fazën e grupeve të Champions League. Me formatin e ri të turneve të organizuara nga UEFA ekipet e eliminuar nga Champions kalojnë në Europa League. Sezonin e kaluar, Shkëndija arriti deri në ‘play off’ të Europa League, aty ku përballë kishte gjigandët e Milan, por pa mundur të kualifikohet.
Tv Klan