Vetëm pak orë nga shpallja e dekretit për emërimin e tij në postin e kryeministri Sali Berisha ka shpallur përbërjen e qeverisë së re. Leximin e emrave kryeministri Berisha e ka shoqëruar dhe me vlerësim për secilin anëtar ri, apo të vjetër të qeverisë pa harrur sigurisht ata që largohen nga kabineti për të bashkëpunuar me ta në të tjera nivele.

Në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm do të jetë kreu i LSI, Ilir Meta, i cili do të jetë në këto dy funksione të qeverisë jo për herë të parë.  Ministër i Drejtësisë Bujar Nishani, Ridvan Bode rikonfirmohet në detyrën e ministrit të Financave,  në ministrinë e Brendshme Lulzim Basha, Genc Ruli në qeverinë Berisha 2 do të ketë pozicionin e ministrit të Bujqësisë, Arben Imami në ministrinë e Mbrojtjes, Dritan Prifti nga LSI në ministrinë e Ekonomisë, Sokol Olldashi rikonfirmohet në ministrinë e Transporteve, po kështu dhe Majlinda Bregu si ministre e Integrimit Europian, në ministrinë e Arsimit do të ulet  Myqerem Tafaj , Spiro Ksera në ministrinë e Punës.

Vendosjen e këtij të fundit kryeministri Berisha e cilësoi të rëndësishëm, pasi sikundër tha në këtë mënyrë garantohet dhe përfaqësimi i minoritetit në qeveri. Në ministrinë e Kulturës dhe Sporteve do të ulet  Ferdinand Xhaferri, Fatmir Mediu i republikanëve në ministrinë  e Mjedisit, Petrit Vasili në bazë të marrëveshjes me LSI do të jetë ministër i Shëndetësisë,  kryeministri  shpalli dhe një pozicion të ri qeverisës atë të ministrit të shtetit, i cili do të trajtojë çështje të reformës dhe marrëdhënieve me Kuvendin, ky pozicion i është besuar Genc Pollos.

Sali Berisha: “Ky pra është kabineti, propozimet që unë nesër do ti dërgoj presidentit të Republikës. Jam përpjekur të bëj përzgjedhjen më të mirë, por kur e ke të vështirë siç e kisha unë për shkak të personaliteteve të shumta që kanë hyrë këtë vit në parlament. Unë nuk po them se kam arrit të përsosurën, por jam i bindur se kjo qeveri e Integrimit Europian do ti jap kontributin e saj për një Shqipëri Europiane.”

Sikundër u tha gazetarëve kryeministri, përbërja e qeverisë së re është frut i një negocimi pothuaj 2 mujor që nuk mbyll madje dhe pak minuta përpara shpalljes zyrtarisht të emrave. Më shumë se me aleatët në qeveri kryeministri ka shpenzuar me partinë që drejton për shkak se i është dashur të bëjë zgjedhje e zgjidhje mes shumë personalitetesh në diskutim.

Sali Berisha: “Unë  nuk mund të vej në diskutim me asgjë suksesin ta zejmë të zotit Gjana, apo të zotit Alibeaj, apo të zotit Oketa, apo të zotit Turku, apo të zonjës Godo. Fakti që ke gjithsej 14, 15 gjithsej dhe me veten 16 nuk e ka parë të arsyeshme që unë të lëviz nga ky kuadër, sepse mbetem i qeverisë së vogël. Pra ka prevaluar parimi mbi vlerësimet e shkëlqyera për individët.”

Objektivi më i rëndësishëm dhe më i shpejtë i qeverisë Berisha dy, do të jetë liberalizimi i vizave me afat konkret 6 mujori i parë i vitit 2010. Në këtë sfidë kryeministri do të angazhojë dy emra të rëndësishëm të qeverisë, Metën dhe Bashën për shkak edhe të pozicioneve të tyre në qeveri.

Sali Berisha: “Ata do të jenë lojtarë ndër më kryesorët në procesin e heqjes së vizave. E vërteta është që 3 janë dikasteret më direkte, sigurisht reformat në tërësi kanë rëndësinë e tyre, por ministria e Jashtme, ministria  e Brendshme dhe ministria e Drejtësisë ç’është e vërteta. …”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi