Mbërrin në Tiranë kryeministri belg Yves Leterme duke shënuar të parën vizitë të këtij niveli në Shqipëri. Ishte kjo arsyeja përse kryetari i qeverisë shqiptare e cilësoi vizitën historike e cila përcolli gjithashtu një klimë të re në marrëdhëniet dypalëshe ku u vlerësua kryesisht aspekti ekonomik por edhe çështje të brendshme të drejtësisë. Belgjika merr presidencën e radhës Bashkimit Europian në 1 korrik të vitit 2010, duke nënvizuar këtë fakt Kryeministri Yves Leterme tha, se Belgjika është një aleat i Shqipërisë për anëtarësim të plotë.
Yves Leterme: “Dua të theksoj në emër të Mbretërisë belge, se jemi të përkushtuar për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Anëtarësimi i Shqipërisë do të jetë kyç për stabilitetin e rajonit por edhe interes reciprok i Bashkimi Europian dhe Shqipërisë.”
Kryeministri belg u ndal posaçërsisht në dy procese të rëndësishme ku është përfshirë Shqipëria, statusi kandidat dhe liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian.
Yves Leterme: “Ne patëm diskutime intensive lidhur me opinionin që do të japë Komisioni Europian për Shqipërinë rreth fundit të vitit. Unë i ofrova kryeministrit, kolegut tim Berisha ekspertizë për të ndihmuar dhe promovuar përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Dhe për t’ju përgjigjur pyetësorit prej më shumë se 2000 pyetjesh që do t’i dorëzohet Komisionit Europian. Përsa i takon vizave përgëzova kolegun tim për rezultatet e mira, për progresin e arritur si dhe inkurajova kryeministrin dhe qeverinë të përkushtohen për të ecur përpara në përmbushjen e të gjithave detyrimeve. Nënvizova gjithashtu se vendimi për liberalizimin e vizave është një çështje teknike dhe aspak politike.”
Shqipëri-Belgjikë pritet të nënshkruajnë një protokoll bashkëpunimi përsa i takon transferimit të të burgosurve.
Sali Berisha: “Po finalizohet marrëveshja për të burgosurit për kthim detyre në Shqipëri dhe unë e sigurova kryeministrin se ne jemi të gatshëm të firmosim çdo marrëveshje me mbretërinë e Belgjikës dhe me çdo vend anëtar të Bashkimit Europian në interes të luftës më efikase dhe me 0 tolerancë ndaj krimit të organizuar.”
Yves Leterme: “Jam i kënaqur që kolegu im Kryeministri Berisha pranoi mbylljen e një marrëveshje për transferimin e të burgosurve sikurse tha Zoti Berisha ky është një hap i rëndësishëm në luftën ndaj krimit. Dua të falenderoj qeverinë shqiptare për gatishmërinë për të firmosur një dokument në këtë fushë.”
Diskutimet kokë më kokë mes dy autoriteteve dhe delegacioneve sollën si rezultat edhe mundësinë e firmosjes brenda një kohe të shkurtër të një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore. Kryeministri belg inkurajoi gjithashtu bizesmenët e vendit të tij të investojnë në Shqipëri pasi siç konstatoi klima është mjaft pozitive edhe për shkak të një sistemi të ulët të taksave që zbaton qeveria shqiptare./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi