Në spital qëndrojnë ende 3 persona, mes tyre dhe deputeti Bujar Çela
Hetimet e policisë për shpërthimin tragjik në Lushnjë ku mbetën të vdekur 2 persona dhe të plagosur 7 të tjerë në një kapanon në ndërtim, janë shtrirë përtej shkaqeve të tij. Këqyrja e vendit të ngjarjes dhe analizimi se çfarë shkaktoi shpërthimin në momentin kur vinçi i drejtuar nga viktima Roland Hoxha po ngjiste për saldim dy bombola oksigjeni, nuk është i vetmi veprim hetimor që po kryhet.
Burime nga grupi hetimor thanë se është duke u verifikuar edhe zbatimi i rregullave të sigurisë në punë dhe nëse janë respektuar lejet përkatëse për punimet që po kryheshin. Më pas, do të ketë edhe një ekspertim dhe vlerësim për dëmet që u janë shkaktuar banesave dhe godinave pranë.
Policia ende nuk ka referuar materialet hetimore në Prokurori. Do të jetë kjo e fundit që pas analizimit të hetimit paraprak do të vendos nëse ka vend për regjistrim të hetimeve me akuza konkrete. Ndërkohë në ambientet e spitalit qëndrojnë ende tre persona që u plagosën, në mesin e tyre edhe deputeti socialist Bujar Çela, i cili ende nuk është marrë në pyetje nga hetuesit.
Ngjarja e rëndë u regjistrua të premten, në 1 Mars rreth orës 16:00. Fillimisht Policia tha në një njoftim paraprak se vinçi ishte përplasur me linjën e tensionit të lartë duke shkaktuar shpërthimin. Por më pas u zbulua se vinçi po lëvizte edhe bombola oksigjeni, njëra prej të cilave shpërtheu dhe një tjetër u hoq nga mjeti një ditë më vonë nga forcat anti-eksploziv.
Tv Klan