Tre aksidente u regjistruan pasditen e të shtunës në qytetin e Fierit dhe Lushnjës, duke shkaktuar vdekjen e një të riu dhe plagosjen rëndë të një 60-vjeçari.

Aksidenti tragjik ku humbi jetën 21-vjeçari Klajdi Hatija ndodhi rreth orës 13:30 në aksin rrugor “Fier-Vajkan”.

I riu po udhëtonte me motor kur u përplas nga një automjet tip “Renault”. 21-vjeçari u dërgua për trajtim mjekësor në spitalin e Traumës, por humbi jetën pas disa orësh si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkohë shoferi i makinës u shoqërua nga policia për veprime të mëtejshme.

Aksidenti i dytë u shkaktua në aksin rrugor Çukas të Lushnjës, ku Rudin Lila, i cili po lëvizte me mjetin tip Benz, përplasi një 60-vjeçar.

Rreth orës 16:00, Veli Marra po lëvizte me motor, por ka ndaluar dhe ka tentuar të kalojë në këmbë rrugën kur është përplasur nga makina.

I plagosuri u dërgua në spital në gjendje të rëndë ndërsa shoferi u shoqërua nga policia.

Ngjarja e tretë ndodhi po në fshatin Çukas, në aksin Lushnjë-Berat, rreth orës 18:00.

Një automjet tip “Benz” shpërtheu në flakë sapo goditi nga pas një automjet tip “Peugeot”.

Pas përplasjes drejtuesit e mjeteve dolën menjëherë, pa lëndime. Për të shuar flakët u desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës.

Tv Klan