Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas 142 trupave komando të nisura për në Irak një vit më parë, Shqipëria nis kontingjentin e tretë në operacionin “Liria e Irakut”. Megjithëse situata është kaotike, në Mosul 71 komandot janë pjesë e forcave të koalicionit të vullnetit, që do të stabilizojnë paqen e ruajnë objekte të rëndësishme ushtarake dhe civile. Detyrë e tyre është gjithashtu patrullimi në qytet e shoqërimi i personaliteteve.

Në përbërje të këtij kontingjenti janë 8 oficerë, 17 nënoficerë dhe 46 ushtarakë profesionistë. Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko iu ka dhënë kurajo, duke u shprehur se lufta është krenaria jonë. Përsa i përket informacioneve për trupat tanë, që gjenden në Mosul dhe deklaratës së kryeministrit për shtim të trupave, ministri Majko informon.

Pandeli Majko: “Janë shëndosh e mirë”.

Gazetarja: Por përsa i përket deklaratës që zoti Nano kërkon, duke ditur se situata është kaotike atje, zoti Nano kërkon të shtojë trupat në Irak.

Pandeli Majko: “Janë duke diskutuar strukturat ushtarake, akoma nuk është marrë një vendim, do të merret siç është marrë dhe herën e parë, me transparencën përkatëse. Bashkëpunimi me trupat amerikane është ekselentë, jo për t’u shprehur me eufori, por i tillë është dhe mbi të gjitha jam optimist, sepse sot takova familjarët, që të gjithë janë vullnetarë dhe e përsëritën dy herë, i shërbejnë Shqipërisë, nuk i shërbejnë as ministrit, as ndokujt tjetër”.

Për ambasadorin amerikan, trupat shqiptare do të shërbejnë së bashku me trupat më të mira amerikane. “Ju po shkoni në një kohë të komplikuar atje”, u shpreh ambasadori Jeffery, ndërsa ne po përpiqemi të kthejmë sovranitetin. Vota qëndron krah jush bashkëluftëtarët tanë, ndaj urojë kthim të sigurt.

Mbështetja shëndetësore e trupave komando, realizohet me forcat tona, pjesë e kontingjentit në 6 muaj qëndrim, do të jenë një mjek kirurg, një ndihmës mjekë që ka një autoambulancë me të gjitha pajisjet mjekësore./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti