Një numër qytetarësh shqiptarë mund të jenë sërish viktima të mashtrimit. Këtë herë bëhet fjalë për një lotari spanjolle, e cila mendohet të ketë pasur një fitim të majmë nga veprimtaria mashtruese, qoftë me anë të një faqeje interneti apo me disa fletushka në dyert e disa qytetarëve. Njoftohet se ata mund të fitojnë shumë prej 960 mijë eurosh, por më parë ata duhet të plotësojnë disa kushte.
Përveç formulimit të disa formularëve, ata duhet të depozitojnë në bankë edhe shumën prej më tepër se 2800 euorsh për të bërë të tyren shumën e majme prej 900 mijë eurosh, por deri tani asnjë nga aplikuesit nuk ka marrë para, ndërsa vetëm ka humbur.
Prokuroria e Tiranës ka nisur një procedim penal dhe ende nuk është arritur të identifikohen shpikësit e kësaj lotarie, që, sipas faqes së internetit, e ka qendrën në Spanjë. Prokurorët e Zyrës kundër Krimit Ekonomik në Tiranë kanë njoftuar Bankën e Shqipërisë, e cila pritet të urdhërojë bankat e nivelit të dytë të bllokojnë çdo veprim që ka lidhje me të ashtuquajturën “Loterie Nacional.” /tvklan.al