Izolimi si pasojë e pandemisë ka bërë që shumë individë të kalojnë më tepër kohë në celularin e tyre, për të komunikuar me familjarët, miqtë, por edhe për të eksploruar gjëra interesante. Gjithashtu shumë të tjerë kalojnë orë të gjata para ekranit të laptopit ose kompjuterit të tyre.
Por sipas një studimi të kryer rezulton se drita e ekranit të laptopit dhe telefonave inteligjentë, jo vetëm që dobëson shikimin, por gjithashtu ndikon edhe në cilesinë e lëkurës.
Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për faktin që rrezet ultraviolet janë të dëmshme. Në fakt, ne marrim masa të ndryshme paraprake për të shmangur çdo lloj dëmtimi në lëkurën tonë nga Dielli. Sidoqoftë, jo shumë njerëz janë të vetëdijshëm për faktin se drita blu e emetuar nga laptopi dhe ekranet e celularit paraqesin të njëjtin kërcënim.
Drita blu e emetuar nga shumica e ekraneve që përdorim është një dritë, e cila lëshon shumë energji. Duke marrë parasysh faktin se ne jemi të ekspozuar ndaj kësaj dritë të dëmshme në çdo kohë përmes ekraneve tona, kjo ka krijuar një shqetësim serioz.
Sipas studimit, drita blu mund të çojë në plakjen e lëkurës dhe shkakton krijimin e rrudhave. Njerëzit me një ton të errët të lëkurës kanë përmbajtje më të lartë të melaninës në lëkurën e tyre dhe kështu janë më të prirur për skuqje nga dritat e ekranit dhe pigmentimi.
Studiuesit shprehen se është e pamundur të shmangni plotësisht përdorimin e laptopit dhe celularit në këtë botë të drejtuar nga teknologjia. Por mënyra më e mirë për të mbrojtur lëkurën është të përdorni një krem dielli, edhe kur jeni në ambiente të mbyllura. Përmbajtja e SPF në kremrat e diellit mbron lëkurën nga çdo dritë e dëmshme. Nëse kjo nuk ju ndihmon, konsultoheni me një dermatolog. /tvklan.al