Është ndër risitë e listës së trajnerit, Sylvinho, por që prej kalimit në Superligën turke ka humbur kontaktet me ngjyrat kuqezi. Arbnor Muja nuk u preferua sërish për të qenë në kombëtare, gjithsesi po kalon formë të mirë me Samsunsporin.
Sulmuesi ishte i jashtëzakonshëm në fitoren 3-0 që skuadra e tij mori në transfertën e Hatayspor, duke shënuar dhe asistuar për tu zgjedhur edhe si futbollisti i ndeshjes. Fillimisht, Muja bëri mrekullinë në të djathtë të sulmit dhe pasi dribloi dy kundërshtarë në hyrje të zonës për të lëshuar goditje potente dhe tundur rrjetën.
Edhe tek goli i dytë, ishte sërish 25-vjeçari ai që dhuroi spektakël, teksa fitoi garën e sprintit dhe krosimi në zonë u shndërrua në gol nga shoku i tij i skuadrës.
Një realizim fenomenal, ndërsa Muja u vlerësua me notën 9.2, për ta përfshirë lojtarin shqiptar edhe në formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit turk. Sulmuesi kuqezi qëndroi në fushë për 88 minuta, teksa ka qenë titullar me skuadrën në të tre takimet e para në Superligën turke.
Forma e mirë kënaq edhe teknikun Sylvinho, që nuk e ka preferuar për ta pasur në dispozicion sulmuesin për dy takimet e radhës të këtij muaji, ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Ligën e Kombeve.
Klan News