Marrëdhëniet e tensionuara mes Moskës dhe perëndimit kanë mbledhur sot në Itali ministrat e jashtëm të 7 vendeve të industrializuara.
Me në krye Shtetet e Bashkuara, samiti dy ditor i G7 pritet të dalë me një deklaratë të përbashkët, ku sipas së cilës do të kërkohet që Rusia t’i jap fund mbështetjes së regjimit të Assadit, të tërheq forcat e saj nga Siria dhe të lejojë rikthimin e autokolonës së ndihmave humanitare. Në rast se presidenti rus do të refuzojë të ndjekë rekomandimet e Samitit të G7, atëherë pritet që vendet e G7 të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë.
Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson, i cili sot prezantohet për herë të parë me homologet e tij, është parashikuar të tregoje detaje për politikat që SHBA-të kanë në plan të zbatojnë mbi Sirinë.
Ëashingtoni ka dërguar disa sinjale aleatëve të tij, ku vihet re vendosmëria për largimin e Assadit nga pushteti.
Me herët, në një interviste, sekretari amerikan i shtetit, tha se prioriteti i SHBA-ve është lufta ndaj shtetit islamik, por kujtoi Rusinë që ka dështuar në zotimin e saj mbi shkatërrimin e armëve kimike të Assadit.
Përveç vendeve të G7 si Japonia, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Kanadaja pjesë e Samitit janë edhe ministrat e jashtëm të Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Katarit.
Kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut do të jetë gjithashtu një temë që do të diskutohet nga krerët e politikës ndërkombëtare.
Tv Klan