Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Është shtyrë për të shtunën dita e formimit të qeverisë së unitetit kombëtar në Maqedoni. Në Shkup kryeministri maqedonas Lupço Gjeorgjevski, u shpreh i prerë në këtë afat të ri, pavarësisht nga vazhdimi i luftimeve në terren dhe refuzimi i Partisë Shqiptare të Prosperitetit Demokratik për të marrë pjesë në këtë qeveri, përpara se të ketë ndaluar ofensiva ushtarake.

Sipas kryeministrit Gjeorgjevski, ky është edhe një shans tjetër për PPD, që ajo të bashkohet me koalicionin, si rruga për të ndaluar luftimet, por Gjeorgjevski ka përjashtuar shpalljen e një armëpushimi. Në terren ushtria maqedonase, ka goditur përsëri me artileri, pozicionet e luftëtarëve të UÇKSH, në fshatin Spullçan në veri të Shkupit.

Ndërkaq situata në Maqedoni është diskutuar edhe në një mbledhje të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Europës në Francë. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Ministri i Jashtëm shqiptar Paskal Milo./tvklan.al