Skandal me procesin e dezinsektimit në qarkun e Lezhës. E gjithë zona bregdetare e këtij qarku, një nga më të frekuentuarat nga turistë të huaj e vendas nga Maji deri në Tetor, është nën pushtetin e mushkonjave.

Situata është pasojë e mos kryerjes së procesit të dezinsektimit për tre vite me radhë, siç tregojnë dokumentet zyrtare.

Qarku i Lezhës është i vetmi qark i cili nuk e ka marrë shërbimin e dezinsektimit për këtë vit, por e njëjta situatë rezulton edhe për dy vite më parë, ku tenderi për procesin e dezinsektimit rezulton i anuluar.

Në vitin 2022, tenderi i organizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, pranë Ministrisë së Financave, me vlerë 14.4 milionë lekë, rezulton i anuluar si “Procedurëe hapur, mbi kufirin e lartë monetar”.

“Ai është hapur më 24 prill dhe është mbyllur më 26 maj. Arsyeja është zbatim i një vendimi të Komisionit të Prokurimit Publik dhe të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në Organin Qendror Blerës pas një ankese të bërë nga disa operatorë ekonomike. Pas anulimit të tenderit, agjencia e blerjeve të përqendruara nuk e ka zhvilluar me këtë tender duke i lënë plazhet e Lezhës nën pushtetin e mushkonjave”.

Edhe tenderi i vitit 2023 është anuluar. Me një fond prej 9.9 milionë lekësh, ai u hap më 20 Prill dhe u fitua nga kompania FlorFrma me ofertë 6.5 milionë lekë pa TVSH, më 30 Qershor. Po sërish për ankesat e operatorëve ekonomikë në garë, tenderi është anuluar dhe dezinsektimi nuk është kryer për të dytin vit radhazi, duke e renduar më tej situatën.

“Edhe për vitin 2024, procesi nuk u krye. Tenderi me fond 9.9 milionë lekë u hap më 31 Maj dhe më 11 Qershor procedura u anulua”.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara, në një përgjigje dhënë për Televizionin Klan thotë se procedura e vitit 2023 ka kaluar një kalvar gjyqësor dhe se do të bëjë një rivlerësim sipas vendimeve të gjyqësorit.

“Në ditët në vijim, për Qarkun e Lezhës, do të kryhet rivlerësimi sipas Vendimeve të Gjykatës. Për gjithë sa më sipër argumentuam, rezulton se çdo veprim i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara është kryer dhe do të vijojë të kryhet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi si dhe me vendimet e dhëna nga gjykatat kompetente”.

Por teksa autoritetet merren me procedura burokratike, në Lezhë situata është e padurueshme.

Ndryshe nga qarku i Lezhës, në të gjitha qarqet e tjera dezinsektimi është kryer. Por edhe pse janë vënë në dijeni për mungesën e dezinsektimit në Lezhë, asnjë nga institucionet që merren me këtë proces, nuk ka bërë asnjë përpjekje për të gjetur rrugë alternative për t’i çliruar këto plazhe nga mushkonjat, të cilat sa vijnë e shtohen çdo sezon.

Nëse tenderat do të vijojnë të anulohen, imazhi i ardhshëm i Shqipërisë turistike do të jenë plazhet plot mushkonja e insekte të tjera, me pushues vendas e të huaj që do të flasin jo më për bukuritë e bregdetit, por për plazhe ku askush nuk do të mundet të pushojë më qetësisht.

Tv Klan